RRETH

PLATFORMËS

RRETH

PLATFORMËS

Pjesëmarrja qytetare në hapësirën virtuale ka rezultuar të jetë efektive në rritjen e transparencës dhe llogaridhënies të sektorit publik. Kjo pjesëmarrje bëhet tepër e rëndësishme dhe e nevojshme në kohët e sotme pasi siguron komunikimin dhe përcjelljen e informacionit edhe në kohë krizash apo fatkeqësish, siç është pandemia e Covid-19. Një nga avantazhet që i njihet instrumenteve të e-pjesëmarrjes është se ato arrijnë edhe grupet e qytetarëve që janë të vështira ose të pamundura për t’u arritur me sistemet tradicionale të pjesëmarrjes. Megjithatë, për të siguruar pjesëmarrje të gjerë dhe gjithëpërfshirëse duhet të adresohen disa sfida paraprake si parakusht thelbësor për funksionimin e-demokracisë si: aftësimi digjital i qytetarëve (digjital literacy); eliminimi i pabarazisë digjitale; aksesueshmëria në shërbimet digjitale për PAK; mbrojtja e të dhënave personale dhe siguria kibernetike e shërbimeve të e-demokracisë; si dhe publikimi i historive të suksesit të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e besimit të qytetarëve në përdorimin e platformave të e-demokracisë. Ndaj, vlerësojmë se për të siguruar pjesëmarrjen digjitale të qytetarëve është e rëndësishme të ndërmerren masa që i mundësojnë atyre aftësimin digjital për të kuptuar dhe përdorur në mënyrë efektive instrumentet e demokracisë digjitale.

Teknologjia luan një rol të rëndësishëm në procesin e të mësuarit dhe aplikacionet digjitale janë një pjesë thelbësore e praktikave të sotme dhe procedurave të ndryshme administrative, pasi ato u ofrojnë përdoruesve mundësi të mira për përdorimin efikas, praktik dhe të shpejtë të platformave të demokracisë digjitale. Aplikimi i mekanizmave efektivë në dispozicion të qytetarëve merr rëndësi, për të mundësuar nga njëra anë aksesin e qytetarëve në proceset vendimmarrëse dhe nga ana tjetër për t’i dhënë mundësinë pushtetit vendor të njohë dhe kuptojë mendimin e qytetarëve, të rinjve, grupeve vulnerabël etj., duke përmirësuar kështu vendimarrjen në interes të komunitetit, përmes mekanizmave të demokracisë digjitale.

Platforma/aplikacioni E-Demokracia synon të mundësojë një përdorim sa më të thjeshtë, të mirë të mundshëm të platformave digjitale të aksesueshëm për shërbime dhe informacion nga qytetarët në nivel vendor (por jo vetëm, pasi njohuritë e fituara nëpërmjet kësaj platforme janë njësoj të aplikueshme edhe për mekanizmat digjital në nivel qendror). Mundësimi i aftësive digjitale të qytetarëve për të kuptuar dhe përdorur në mënyrë efektive instrumentet e demokracisë digjitale në nivel vendor, është në fokus të projektit “Përdor teknologjinë, përmirëso demokracinë”, me mbështetjen financiare nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Platforma “E demokracia” është ndërtuar nga Qendra ALTRI, Qendra AIA dhe Porta Rome për Integrim në kuadër të projektit “Përdor teknologjinë, përmirëso demokracinë!”, me mbështetjen financiare nga LevizAlbania, një projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim, SDC.

Platforma dhe Aplikacioni